Kurti publikoi pamjet e ushtrisë serbe në kufi, eksperti i sigurisë bën paralajmërimin e frikshëm për Kosovën

Aktuale

Kurti publikoi pamjet e ushtrisë serbe në kufi, eksperti i sigurisë bën paralajmërimin e frikshëm për Kosovën

Më: 23 mars 2024 Në ora: 07:46
Foto nga pamjet e publikuara nga kryeministri Albin Kurti

Eksperti i Sigurisë, Ilir Kulla, është shprehur se Serbia është duke u përgatitur për një konflikt në Ballkan dhe këtë sipas tij e tregojnë edhe përgatitjet ushtarake të saj.

Komentet Kulla i bëri në një emision televiziv, ku komentoi deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se kishte pamje se forcat serbe po i afroheshin kufirit me Kosovën.

Kulla tha se në kufijtë me Kosovën ndodhen mbi 40 qendra ushtarake serbe, të cilat sipas tij, nuk janë aty për paqen, por për një konflikt të mundshëm.

Ai tha gjithashtu se në Serbi është në pushtet klasa politike pasardhëse e asaj që zhvilloi luftërat e viteve 90-të.

“Në kufijtë e Kosovës janë mbi 40 qendra ushtarake serbe dhe ata nuk janë aty për të promovuar paqen. Reagimi i Kosovës është i qartë, ka reagim politik dhe ushtarak. Kosova është armatosur me Javelin dhe armatime të tjera. Janë rritur stërvitjet. Por Serbia është e vetmja fuqi rajonale që është armatosur në mënyrë të mirëfilltë.

Fabrikat serbe kanë shtuar prodhimin, edhe duke e patur prapavijë atë që ndodh në Ukrainë. Vetë presidenti i Serbisë ka thënë se me teknologjinë që kanë futur për dronët, kanë hyrë në gjeneratën e re të armatimeve. Kanë blerë raketa edhe nga Kina. Serbia të gjitha këto gjëra i ka bërë në 10 vite. Që Serbia po përgatitet për një konflikt të mundshëm kjo duket qartë.

Serbët që në themelimin e shtetit serb janë munduar të jenë fuqi ushtarake rajonale dhe në këtë lloj forme kanë mbështetur nacionalizmin serb. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse nisi lufta e parë botërore po ta mbani mend.

Është pak e shumë e ngjashme me atë që ndodh në Kosovë, ku një organizatë politike serbe ka marrë përsipër të nisë në mënyrë të njëanshme konfliktin, si me ngjarjet e Banjskës. Klasa politike që është sot në Serbi, është trashëgimtare e klasës politike që bëri luftërat e viteve 90”, tha Kulla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat