“Kosova e gatshme t’i hapë negociatat drejt anëtarësimit”, Kurti i bën thirrjen e fortë BE-së

Aktuale

“Kosova e gatshme t’i hapë negociatat drejt anëtarësimit”, Kurti i bën thirrjen e fortë BE-së

Më: 2 maj 2024 Në ora: 07:07 Përditësuar në ora: 10:56 më 02.05.2024
Albin Kurti

​Kurti: BE-ja t’i heqë masat, Kosova e gatshme t’i hapë negociatat drejt anëtarësimit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se masat e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së, për çka shtoi se masat duhet të largohen. Kështu u shpreh shefi i ekzekutivit në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian ku u theksuan reformat kyçe të programit kombëtar për integrim evropian. Ai tha se janë zbatuar mbi 70 për qind e reformave të planifikuar me Komisionin Evropian.

Kryeministri Kurti deklaroi se Kosova është e gatshme jo vetëm për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, por edhe të hapë negociatat dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit.

Kurti: Kemi zbatuar mbi 70 për qind të reformave të planifikuara

"Besojmë që anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi mijëra pyetjeve që vijnë nga Komisioni Evropian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejt anëtarësimit. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike. Ne kemi bërë zgjedhje, andaj agjenda e reformave evropiane në qeverinë tonë që nga fillimi i mandatit është trajtuar me shumë seriozitet. Mobilizimi për të kapur hapin në procesin e integrimit evropian pas stagnimit disa vjeçar ka bërë qe shumë reforma, ligje e strategji të përmbyllin. Nga 1 janari 2024 qytetarët tanë po lëvizin pa viza në zonën Shengen. Sa i përket agjendës për reforma evropiane, kemi zbatuar mbi 70 për qind të reformave që kemi planifikuar së bashku me Komisionin Evropian, ose 245 nga 341 reforma të planifikuara”, deklaroi Kurti.

Sa i përket Programit Kombëtar për Integrim Evropian, Kurti shtoi se niveli i zbatimit është rreth 2/3 në vitin 2023.

Më tej, ai përmendi edhe masat nga Bashkimi Evropian, për çka theksoi se duhet të largohen.

Kurti: Masat nga Bashkimi Evropian duhet të largohen

"Masat që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, sidomos edhe në planin e rritjes e me qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave në BE, në këtë kontekst kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen", deklaroi ai.

Para kabinetit qeveritar dhe përfaqësuesve të institucioneve të pavarura, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se Programi Kombëtar i Integrimeve Evropiane është dokument strategjik.

Bislimi: Për këtë vit kemi planifikuar 307 masa afatshkurtra

“Programi Kombëtar për Integrim Evropian për periudhën 2024-2028 është miratuar në qeveri me 2 prill të këtij viti dhe jemi në pritje të miratimit të tij nga ana e Kuvendit. Meqë raportimin e parë për zbatimin e këtij programi do ta bëjmë në fund të qershorit, është me rëndësi që sot të diskutojmë bashkërisht ecurinë e zbatimit të reformave kryesore dhe sfidat të cilat priten të adresohen bashkërisht në mënyrë që të sigurojmë zbatimin e tyre të plot dhe në kohë. Programi kombëtar i integrimeve evropiane është dokumenti ynë strategjik që përfaqëson spektrin e gjerë të reformave që i ndërmarrim vit pas viti në realizimin e marrëveshjes sonë të përbashkët me Bashkimin Evropian, pra Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Këto reforma para se të na ndihmojnë në avancimin drejt integrimit evropian në BE, na ndihmojnë edhe në arritjen edhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit drejt një standardi më të lartë të jetesës. Për këtë vit, kemi planifikuar 307 masa afatshkurta, 38 sosh janë projektligje, tri janë marrëveshje ndërkombëtare, 65 janë akte nënligjore dhe 201 janë masa zbatuese", shtoi ai.

Deri në fund të qershorit, Bislimi shtoi se pritet që të zbatohen mbi 50 masa. 

Kurti: Kosova e gatshme për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian ka folur për procesin e zgjerimit të BE-së.

Kryeministri shtoi se planin e zgjerimit të BE-së e shohin si hap të duhur në drejtim të duhur, derisa përsëriti se masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të largohen.

“Pas një dekade stagnimi zgjerimi i Bashkimit Evropian është kthyer në agjendë. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka rikthyer rëndësinë e zgjerimit të BE-së. Në dhjetor 2023 samiti i BE me Ballkanin Perëndimor rikonfirmoi të ardhmen e rajonit tonë në BE. Më 15 dhjetor 2022 në Pragë të Çekisë që po e mbante presidencën e BE-së asokohe ne dorëzuam aplikacion për anëtarësim në BE”, tha Kurti.

Kurti u shpreh se anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci.

“Si demokracia më e avancuar në rajon ne jemi të gatshëm tu përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Evropian. Kosova është e gatshme jo vetëm për statusin e kandidatit por edhe për të hap negociatat dhe kapitujt e shumë drejt anëtarësimit”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri Kurti tutje theksoi se anëtarësimi në BE është zgjedhje strategjike.

“Ne kemi bërë zgjedhje andaj agjenda e reformave evropiane në qeverinë tonë që nga fillimi i mandatit është trajtuat me shumë seriozitet. Shumë reforma e ligje e strategji janë mbyllur. Kemi zbatuar mbi 70% të reformave që kemi planifikuar së bashku me komisionin evropian ose 245 nga 341 reforma të planifikuara”, tha Kurti.

Ai shtoi se javën e kaluar BE ka aprovuar planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka dy qëllime të përshpejtojë zhvillimin socio-ekonomik të rajonit me BE dhe në këtë mënyrë të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE.

“Planin e zgjerimit e  shohim si hap të duhur në drejtimin e duhur. Nuk duhet të ketë përfitime nga BE e as fonde pa i përqafuar vlera e BE-së. Masat që janë ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE sidomos me planin e rritjes dhe qëllimit të tij. Këto masa duhet të largohen”, tha Kurti.

Mbahet mbledhja e Këshillit Ministror për Integrim Evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe ministrat e udhëheqësit e institucioneve e dikastereve relevante, në mbledhjen e VI-të të Këshillit Ministror për Integrim Evropian.

Në këtë mbledhje e cila pritet të filloj në orën 8:00, do të diskutohet për përgatitjet e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu edhe për reformat kyçe të Programit Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024-2028.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat