Gazetari gjerman: Lëvizje e jashtëzakonshme e minutës së fundit për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Aktuale

Gazetari gjerman: Lëvizje e jashtëzakonshme e minutës së fundit për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Më: 16 maj 2024 Në ora: 10:19
Foto ilustrim

Gazetari i Frankfurter Allegmeine Zeitung (FAZ), Michael Martens e ka quajtur lëvizje të jashtëzakonshme të minutës së fundit gatishmërinë e shprehur nga Qeveria e Kosovës për përgatitjen e një drafti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Draft-statuti, të cilin Qeveria e Kosovës tha se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese në fund të muajit maj, është duke u hartuar bazuar në propozimin e bërë nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung.

E gazetari Martens tha sot se FES-i është fondacion i krijuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë.

Në shkrimin e tij në Twitter, Martens nënkupton se me këtë lëvizje mund të ndryshohet qëndrimi i Qeverisë gjermane për përkrahjen e Kosovës drejt pranimit në KiE.

“Lëvizje e jashtëzakonshme e minutës së fundit rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE. Vini re se Friedrich Ebert Stiftung është krijim i SPD-së [Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë] dhe kështu e afërt me kancelarin Scholz dhe njerëzit e tij, disa prej të cilëve deri më tani hezitonin për këtë çështje. Por nëse krijimi juaj prodhon ide të mira…”, tha ai.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka drejtuar sot një letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, në të cilën ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft për Asociacionin.

Kosova, nuk është vendosur në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së që mbahet më 16 dhe 17 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat