FBK gëzon reputacion të madh në FIBA! Kosova - shembulli më i mirë për organizimin e garave ndërkombëtare!

Basketboll

FBK gëzon reputacion të madh në FIBA! Kosova - shembulli më i mirë për organizimin e garave ndërkombëtare!

Nga: Kemajl Goca Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 13:26
Kosova U-18 në vitin 2018

Federata e Basketbollit të Kosovës është shembulli më i mirë jo vetëm në rajon por edhe në Evropë!
Asociacioni më i lartë i basketbollit botëror, FIBA, dy herë është e mahnitur me Federatën e Basketbollit të Kosovës, për organizimin e ngjarjeve më të mëdha evropiane, si bie fjala në vitin 2018: FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C, dhe në vitin 2019: FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B në konkurrencën e femrave. 

Arben Fetahu, president i FBK-së dhe Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e këtij asociacioni, së bashku me stafin e këtij institucioni, bënë punë të madhe në organizimin e këtyre dy garave të mëdha në Prishtinë, që morën notë të lartë nga FIBA, në fakt Kosova u bë shembulli më i mirë!

Këto organizime të garave në nivelin më të mirë, ishin edhe një fitore për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar, që besa shumë shtete mbeten të mahnitura si për mikpritje, për organizim sipas standardeve!

Të dy këto ngjarje të mëdha u organizuan në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, duke i dhënë një imazh të shkëlqyeshëm shtetit tonë! Federata e Basketbollit të Kosovës gëzon reputacion të madh në FIBA!

Kosova është bërë shembulli më i mirë për organizim të garave të nivelit të lartë dhe që gradualisht po e ndërton edhe një brez të lojtarëve dhe lojtareve të reja, që e ardhmja do të jetë e ndritshme e këtij sporti.

FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C është mbajtur në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik, derisa pjesë e kësaj gare në një vizitë një ditore ka qenë edhe Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Kamil Novak, i cili kishte ardhur në Kosovë për të përcjell nga afër Kampionatin dhe për të konfirmuar mbështetjen e FIBA-s për Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës U18 në basketboll kishte shkruar historinë, duke fituar trofeun e parë. Djelmoshat tanë ishin shpallur kampion të Evropës për Divizionin C nën udhëheqjen e trajnerit Ibrahim Karabeg.

Duhet kujtuar se Kosova e gjunjëzoi në finale Qipron, me rezultat 73:64. Lojtari më i mirë i kampionatit ishte shpallur Rron Ukaj. 

Në vitin 2019 sërish Kosovës iu besua një kampionat tjetër, Federata e Basketbollit të Kosovës ka qenë organizatore e FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B në konkurrencën e femrave.

Puna dhe angazhimi po ashtu edhe niveli i lartë i organizimit, e ka bërë FBK-në një institucion shumë të respektueshëm para FIBA-s, për faktin se kur të besohet edhe ngjarja e dytë e rëndësishme siç ishte ajo e vitit 2019, kjo është nota më e madhe për një institucion sportiv, që është shembull për të gjitha federatat tjera se si punohet dhe organizohen garat e nivelit më të lartë ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat