Ministri i Jashtëm ukrainas: Sistemet raketore Patriot, do të jenë funksionale në më pak se gjashtë muaj

Bota

Ministri i Jashtëm ukrainas: Sistemet raketore Patriot, do të jenë funksionale në më pak se gjashtë muaj

Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë filluar një plan të veçantë, për të vendosur sistemin raketor Patriot në Ukrainë në “më pak se gjashtë muaj”.

Në një intervistë për Associated Press, Kuleba tha se ishte “absolutisht i kënaqur” me rezultatet e vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy në SHBA javën e kaluar.

Trajnimi i zakonshëm për përdorimin e sistemit zgjat deri në një vit, por duket se Ukraina do të jetë gati të përdorë Patriotin shumë më shpejt.

Kuleba pretendon se qeveria amerikane ka zhvilluar një program që trupat ukrainase të kryejnë stërvitjen më shpejt se zakonisht, “pa dëmtuar cilësinë e përdorimit të këtyre armëve në fushëbetejë”.

Megjithëse zyrtari ukrainas nuk përmendi një kornizë specifike kohore, ai tha vetëm se do të ishte “shumë më pak se gjashtë muaj”. Ai shtoi se trajnimi do të zhvillohet jashtë Ukrainës.

Gjatë intervistës, Kuleba theksoi se Ukraina do të bëjë gjithçka që mundet për të fituar luftën në vitin 2023, shkruan Sky News.

“Çdo luftë përfundon në rrugë diplomatike. Çdo luftë përfundon si rezultat i veprimeve të ndërmarra në fushëbetejë dhe në tryezën e bisedimeve”, tha Kuleba.

Ndryshe, vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në SHBA, ishte udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga fillimi i luftës.

Gjatë udhëtimit, Ukraina siguroi një pako të re ndihme ushtarake me vlerë 1.8 miliard dollarë, duke përfshirë sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat