Rama dhe Vuçiqi kërkojnë protektorat në veri, Kosova nuk e lejon

Opinione

Rama dhe Vuçiqi kërkojnë protektorat në veri, Kosova nuk e lejon

Nga: Faton Mehmeti Më: 1 tetor 2023 Në ora: 10:08
Faton Mehmeti

Ngjarjet e 24 shtatorit vazhdojnë të komentohen kudo, terroristët serbë sulmuan policinë me çka edhe humbi jetën një rreshter. Bota reagoi duke dënuar Serbinë dhe Vuçiqin si njeriun që qëndron pas këtyre ngjarjeve.

Vetëm Edi Rama dhe Baton Haxhiu tentuan ta minimizonin Vuçiqin. Ky i fundit duke komentuar ngjarjet e fundit ka deklaruar se janë rezultat i terrorit që është bërë ndaj popullatës serbe atje për një kohë të gjatë. Propagandë e poshtër.

Si dinak që është, Vuçiqi tenton të përfitojë duke kërkuar “që siguria në veri të Kosovës të merret nga pjesëtarët e KFOR-it, i cili ka kapacitet për të parandaluar veprimet e dhunshme të Prishtinës”, deklarata e Vuçiqit, është pothuaje njësoj si e Edi Ramës. Kryeministri shqiptar ka thënë se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.

E papranueshme që Rama të mbaj qëndrim si të Vuçiqit, Rama në një farë mënyre bën përgjegjës qeverinë e Kosovës duke deklaruar "Edhe Qeveria e Kosovës të mos degradojë në një arenë luftimesh të herë pas hershme, të cilat mund ta kthejnë në një Donbas të vogël". Rama paska harruar se qeveria vetëm po mbron vetën, në territorin e saj nga terroristët.

E tmerrshme korelacioni në qëndrime, deklarata dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit mes Ramës dhe Vuçiqit. Kosova në vend se të kishte kryeministrin e Shqipërisë mbështetës kryesor, po ndodh e kundërta. Rama s’po arrin të shkëputet nga ndikimi i Vuçiqit.

Kosova është shtet në gjithë territorin e saj, dhe e para që kujdeset për sigurinë është policia. Thirrja që KFOR të zëvëndesojë policinë e Kosovës është thirrje për protektorat në veri duke e zhveshur Kosovën nga sovraniteti në atë pjesë të vendit. E turpshme një kërkesë e tillë, Kosova nuk e pranon një kërkesë absurde, por vazhdon të shtrijë aktivitetin dhe ruaj shtetësinë e fituar me gjak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat