Partneriteti është “luhatur”? Juristi i bashkohet thirrjes së Presidentes: Qeveria të diskutojë me SHBA-në rreth vendimit për dinarin

Politika

Partneriteti është “luhatur”? Juristi i bashkohet thirrjes së Presidentes: Qeveria të diskutojë me SHBA-në rreth vendimit për dinarin

Nga: M.L. Më: 18 shkurt 2024 Në ora: 22:01
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ambasadori Jeff Hovenier

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar sot se problemi që lindi ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila e largon nga përdorimi dinarin serb në vend, është “mënyra se si u komunikua”.

Presidentja rikujtoi se “gjithçka që kemi arritur në këtë vend është rezultat i bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

Ajo potencoi se duhet të dilet nga kjo situatë duke arritur një marrëveshje me partnerët për një plan zbatimi të rregullores së re të BQK-së.

Sipas presidentes ka hapësirë “për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë”, për të punuar rreth kësaj çështjeje.

“Unë mendoj se është vetëm çështje komunikimi”, the presidentja në një intervistë për mediumin arab “Al Aan” dhënë më 8 shkurt, të cilën Presidenca e shpërndau sot në Facebook.

Për gjetjen e një hapësire për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve bën thirrje edhe juristi Muhamet Kelmendi.

Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se partneriteti Kosovë-SHBA nuk duhet kurrsesi të keqësohet ose të preket nga asnjë qeveri.

Image
Muhamet Kelmendi

“Kosova dhe populli shqiptar kanë perspektive vetëm në partneritet të ngushtë me SHBA-të.

Mos ruajtja e këtij partneriteti e dëmton rëndë, jo verem Republikën e Kosovës, por edhe tërë çështjen kombëtare shqiptarë.

Deklaratat e z.Jamey O' Brian dhe te z.Jeff Hovenier për partneritetin SHBA-Kosovë kërkohet të merren seriozisht. Çdo vendim që rrezikon këtë partneritet të ndërtuar gjatë historisë është antishqiptar dhe rrezikon kombin.

Z. O'Brian tha:

"SHBA -të e konsiderojnë partnere Qeverinë e Kosovës, aq sa ajo na dëshiron si partnere".

Më qartë u shpreh ambasadori i SHBA-ve në Prishtine, z.Jeff Hovenier:

"Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do te angazhohet, siç bëjnë partneret, për të zgjidhur këtë çështje se bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme (...). Ne jemi të shqetësuar që Qeveria Kurti nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se në të gjithë pajtohemi me njëri - tjetrin, nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmës sekretarit O'Brian e pasqyron këtë qartë", u shpreh Kelmendi duke cituar fjalët e ambasadorit.

Sipas tij, nga këto deklarata shihet qartë se partneriteti është luhatur.

Për arsye juristi kërkon që kryeministri Kurti të ulet me ambasadorin e SHBA-së dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët rreth vendimit të BQK-së.

Partneriteti është luhatur. Këtu kërkohet që Qeveria e z. Kurti të ulet së bashku me ambasadorin e SHBA-së në Prishtine dhe të koordinojnë çështjen e vendimit të BQ të Kosovës mbi valutën.

Nuk duhet lejuar që marrëdhëniet të keqësohen më thellë.

Modalitete ka mjaft.

Dhe, këto modalitete, kërkohet që së bashku me SHBA të gjinden dhe të futen në veprim. Kjo i takon Qeverisë Kurti ta bëjë”, ka përfunduar Kelmendi.

Ndryshe, vlen të theksohet se ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë të enjten në një konferencë për media se pa dëgjueshmëria e Qeverisë në lidhje me dinarin veçse i ka prekur raportet mes shteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat