“Është vendimtare që BE...!”/ Eksperti amerikan flet për dinarin dhe dialogun - tregon nëse do të ketë takim Kurti-Vuçiq

Politika

“Është vendimtare që BE...!”/ Eksperti amerikan flet për dinarin dhe dialogun - tregon nëse do të ketë takim Kurti-Vuçiq

Nga: A.M Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 11:06
Alon Ben Meir

Bashkimi Evropian tha se i ka dërguar ftesat në Prishtinë dhe Beograd për takimin e radhës për të diskutuar çështjen e dinarit.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se me ftesat e dërguara janë vënë edhe objektivat si dhe është shprehur gatishmëria e BE-së për të ndihmuar palët që të gjejnë zgjidhje.

Profesori dhe eksperti amerikan në shkenca politike, Alon Ben Meir në një prononcim për “Bota sot” foli në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe ftesën e Lajçakut për takim të liderëve të të dyja palëve.

Ai vlerëson se takimet e ndara të Kurtit dhe Vuçiqit me Borellit dhe Lajçakun nuk kanë prodhuar progres, prandaj nisur nga kjo tha se çësthja e dinarit do të diskutohet me përfaqësues më të ulët të të dyja palëve.

“Ndjenja ime është se takimet e ndara ndërmjet përfaqësuesve të BE-së, Borrell dhe Lajçak, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, nuk kanë prodhuar përparim të rëndësishëm që do t'u lejonte përfaqësuesve të BE-së, të paktën, të tregonin publikisht se është bërë njëfarë progresi.

Për këtë arsye, besoj se diskutimi i mëtejshëm për çështjen konfliktuale në lidhje me këmbimin e valutës nga dinari në euro nuk do të përfshijë takime të nivelit të lartë në Bruksel, por më tepër përfaqësues të nivelit më të ulët për të diskutuar detaje të mëtejshme”, deklaroi eksperti amerikan.

Ben-Meir përmendi dy çështje kryesore, në të cilat përfshihen Kurti dhe Vuçiq.

Krahas kësaj, tha se është vendimtare që BE ta mbështesë Kurtin, në mënyrë që të ushtrohet presion ndaj Vuçiqit për të pranuar një marrëveshje me Kosovën.

“Duhet të kemi parasysh dy çështje kryesore. Së pari, Kurti duhet të tregojë një farë fleksibiliteti, të cilin e ka intimuar tashmë në lidhje me periudhën e tranzicionit nga dinari në euro. Së dyti, çështja më urgjente është se Vuçiq kishte ofruar një pjesë të konsiderueshme të ndihmës financiare për serbët në veri të Kosovës në para të gatshme. Kjo po e shqetëson atë, pasi përndryshe ky mund të jetë një këmbim formal i valutës në ndonjë bankë në Kosovë ose në Bankën Qendrore të Serbisë. Që Kurti të dalë në krye të kësaj, ai duhet të koordinohet paraprakisht me BE-në dhe të përcaktojë qasjen më të mirë për zgjidhjen e këtij problemi. Është vendimtare, për mendimin tim, që BE të mbështesë qëndrimin e Kurtit, ku mund të ushtrohet presion i drejtpërdrejtë mbi Vuçiqin për të pranuar një kompromis që përfundimisht do të çonte në një zgjidhje të pranueshme reciprokisht”, përmbylli Alon Ben-Meir për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat