Takimet e dështuara të Lajçak-ut, Kosova dhe Serbia larg marrëveshjes - dinari “problem serioz”!

Politika

Takimet e dështuara të Lajçak-ut, Kosova dhe Serbia larg marrëveshjes - dinari “problem serioz”!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 prill 2024 Në ora: 20:15
Mirosllav Lajçak, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq

Dinari po del të jetë një çështje jo shumë e lehtë për t’u zgjidhur.

Duket se qeveritë e kaluara, ishin në dijeni se dinari mund edhe të shkaktonte kaq shumë probleme, për këtë edhe “heshtën” dhe nuk e ndaluan atë.

Të enjten, përfundoi pa ndonjë marrëveshje edhe rundi i ri dhe i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb.

Palët nuk arritën ndonjë marrëveshje, derisa mosmarrëveshjet për këtë çështje ende qëndrojnë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit potencoi se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, "por ata kanë paraqitur propozimin e tyre".

"Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe", tha Bislimi.

Kurse, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi "bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje".

“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve", tha Petkoviq pa shpjeguar se çfarë përmban propozimi i tij.

Vlen të theksohet se, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua ndaras me Petkoviqin dhe Bislimin.

Për dallim nga takimet e kaluara, të enjten nuk kishte takim trepalësh mes tyre.

E për këtë takim të dështuara folën njohësit e çështjeve politike e diplomatike.

Shabani: Unë mendoj se çështjen e dinarit Serbia do ta zvarrisë ashtu

Së pari, në lidhje me këtë temë, foli në një prononcim për “Bota sot”, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Image
Amir Shabani.

Ai tha se nuk po arrihet të gjendet një zgjidhje pavarësisht përpjekjeve të Lajçakut.

“Sa i përket çështjes së shfrytëzimit të dinarit serb në territorin e Kosovës, kishte deklaruar edhe emisari evropian, Miroslav Lajçak se ata po tentojnë të gjejnë një "zgjidhje të përkohshme", mirëpo shikuar nga raundi i fundit që u mbajt mes kryenegociatorëve të të dyja vendeve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, duket sa ka dalur pa ndonjë dakordim mes tyre dhe Serbia akoma akuzon Kosovën për "mospranim të gjetjes së njê zgjidhjeje"”.

Krahas kësaj, Shabani paralajmëroi se Serbia do ta zvarris çështjen e dinarit për qëllime të saj, gjë që nuk do duhej të lejohej nga BE dhe ndërkombëtarët, pasi Kosova ka të drejtë në vendimin e saj për valutën euro.

“Unë mendoj se çështjen e dinarit Serbia do ta zvarrisë ashtu sikur çdo çështje tjetër pa ndonjë justifikim juridiko-kushtetues, por ajo që nevojitet është se edhe bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht BE-ja, nuk duhet ta tolerojnë Serbinë që ende të insistojë drejt një kërkese të padrejtë, pasiqë sikur çdo shtet që ka dhe mbron valutën e vendit të vet, edhe Kosova në këtë rast ka vendimin se si valutë e vetme të përdoret euro”, shpjegoi eksperti.

Ndër të tjera, ai shtoi se Serbia po e ka të vështirë përballjen me Kosovën, pasi se kryeministri Kurti ka qëlluar të jetë një lider i pakorruptuar.

“Përderisa Kosova nuk ka ndonjë valutë specifike të veten, si mund të lejojë që të qarkullojnë valuta të huaja sikur të ishin në vendin e tyre?!

Serbia gjatë kësaj përballje me qeverisjen aktuale të Kosovës ka hasur koxha vështirësi në realizimin e intrigave dhe mashtrimeve të tyre, kjo për faktin se kryeministri Kurti ka qëlluar të jetë një lider i pakorruptuar dhe insistues në zbatimin e shtetit të së drejtës”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.

Mehazi: Dinari serb është simbolikë robëruese për Kosovën

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, profesori dhe njohës i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se është e kuptueshme se nuk do arrihet marrëveshje për dinarin, pasi vendimi është marrë nga BQK.

Madje, ai tha se dinari serb është simbolikë robëruese për Kosovën dhe se vetëm euro duhet të jetë valutë zyrtare në Kosovë.

“Nëse me rregullore të BQK-së është vendosur që si valutë e vetme në Kosovë të jete euroja, atëherë nuk ka të drejtë jo kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, por as Albin Kurti të mohojnë vendimet e BQK-së. Normale se nuk mund të ketë marreveshje sipas dëshirave serbe për shkak se Kosova është përcaktuar për euron evropiane e kurrsesi për dinarin e Serbisë që Vuçiqi mund ta përdorë vetem në shtetin e vetë gjenociadial. Dinari serb është simbolikë robëruese për Kosovën, dinari i Milosheviqit është i padëshirueshëm për qytetarët e Kosovës pasi të gjitha të këqijat e qytetarëve të Kosovës kanë ardhur nga kjo valutë gjenocidiale serbe”, deklaroi profesori.

Sipas Mehazi e cilëson si të palogjikshme përfshirjen e BE-së në vendimin për dinarin, pasi kjo është një çështje e brendshme e Kosovës.

“Më duket e palogjikshme për dinarin e Serbisë të ndërhyjë Bashkimi Evropian e Lajçaku, pasi problemi i dinarit është problem i brendshëm i Kosovës, BE-ja jo vetëm që duhet të përkrahë valutën zyrtare të euros që e përdorë Kosova, por duhet të pajtohet me kundërshtimet e qeverisë së Kurtit, pasi vetë euroja ështe valutë zyrtare e BE-së”, theksoi ai.

Në fund, profesori potencoi se faji i dinarit serb në Kosovë rrjedhën e ka nga qeveritë e mëparshme të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

“Askush në veri të vendit nuk i ndalë serbët e Kosovës dhe të Serbisë të përdorin dinarin në mes veti njësoj sikurse qytetarët shqiptarë të RMV-së që e përdorin denarin e RMV-së gjatë shitblerjeve dhe restoranteve në Pogradec, po gjer në Durrës të Shqipërisë dhe në Globoçicë, Kaçanikë, po dhe në Ferizaj e Prizren të Kosovës. Shkurt e qartë gjithë faji i dinarit serb në Kosovë rrjedhën e ka nga qeveritë e mëparshme të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së të cilat për shkak interesave biznese - korruptive kanë heshtur sikur nuk është pengesë dinari i Serbisë në veri të Kosovës”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat