"Policia e vetme përballë krimit", ministri Lleshaj: Neglizhencë nga pushteti lokal

Shqipëria

"Policia e vetme përballë krimit", ministri Lleshaj: Neglizhencë nga pushteti lokal

Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 16:04
Sandër Lleshaj

Neglizhenca e pushtetit lokal ka lënë të vetme policinë e shtetit në luftën përballë krimit dhe kontrollit të territorit për të ofruar rend dhe siguri. Është ky konstatimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj teksa ka prezantuar strategjinë ndërsektoriale për pesë vitet e ardhshme.

Në raportin e përpiluar thuhet se pushteti lokal neglizhon detyrat e përcaktuara me ligj mes të cilave kontrolli i territorit nga kanabisi, krimet mjedisore, krimet ndaj pronës e jetës, e deri tek dhuna.

Nota kritike kanë marrë edhe kryetarët e pushtetit lokal të 61 bashkive në vend për të cilët në strategjinë e përpiluar kërkohet të kenë një angazhim më konkret me qëllim rritjen e sigurisë në komunitet.

Ndër risitë e propozuar në strategjinë ndërsektoriale të vitit 2021-2026  janë edhe futja e teknologjisë së patrullimeve me dronë, angazhimin e strukturës së policisë bashkiake si dhe zyra policie në çdo bashki për koordinimin e kontroll të territorit. Këto ndryshime pritet të sjellin dhe fuqizimin e bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake.

Ndryshim pritet të pësojë edhe mënyra e funksionimit të policimit në komunitet, që nuk do të jetë me një funksion që do të kryhet nga polici i zonës por do të jetë një strukturë e veçantë e mirëpaguar dhe e pajisur me mjete e uniformë të dedikuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat